Alpet Shqiptare
Një nga territoret më atraktive dhe më magjepse të trevave shqiptare me bukuri të shumta natyrore dhe pasuri të mëdha turistike, janë alpet shqiptare. Të përfaqësuara nga një reliev malor me kontraste të shumta, të përshkuara nga lugina lumenjsh me ujëra të kristalta, gryka dhe qafa malesh që të intrigojnë të vazhdosh më tej për të eksploruara natyrën, me një bimësi të pasur, Alpet shqiptare përfaqësojnë një perlë me vlera unikale për Shqipërinë madje edhe në botë. Alpet i përngjajnë një kupole me majën të lartë Jezerca 2694 m nga e cila dalin në formën e rrezeve vargjet malore me maja të mprehta dhe me shpate të thepisura. Nuk ka si të mos tërheqin vemendjen e vizitorëve format e shumta karstike, akullnajore, fluviale etj me një bukuri mistike ku natyra ka bërë kompromis me veten dhe me njeriun. Majat e maleve në këtë territor duket sikur arrijnë qiellin. Bukuria mahnitëse e tyre pasqyrohet në ujërat kthjellta të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, etj si dhe në liqenet akullnajore të tilla ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës etj ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline e cila ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.
Male të tilla si Radohima, Maja Hekurave, maja e Arapit, maja e Shkelzenit, etj shërbejnë si pika triangulacioni, duke ofruar një panoramë të ndryshme e cila tundon shpirtin aventuror të cdo vizitori për të parë bukuritë natyrore përreth tyre. Kësaj oferte natyrore tepër të pasur e cila mund të shfrytëzohet për qëllime turistike i shtohet edhe larmia e florës dhe faunës.
Kater katet e bimësisë dhe kushtet edafike sa të ngjashme aq edhe të ndryshme në këtë hapësirë ka kushtëzuar edhe ekzistencën e një sërë bimësh dhe kafshësh endemike të cilat paraqesin jo vetëm interes me karakter studimor por gjithashtu e pasurojnë dekoracion turistik të saj. Monumentet e shumta natyrore si kanioni i Shoshaj, i Valbonës, i Cemit, shpella e Dragobisë, e majës së Arapit, shpella e Rrathëve, shpella e Akullit, shpella e Haxhisë, shpella e Njerzëve të Lagur, burimi i Shoshaj, Valbonës, Okolit, Shtrazës, Kirit, Koprishtit, Vuklit etj ujëvara e Thethit, Grunasit, etj si dhe biomunumentet e shumta si ahishta e Gurra e Hasan Gashit, rrobulli në liqenin Ponarëve, bredhishta e Rragamit, pisha Flamur e qafës së Pejës, Habitati i Salamandrës, rrapi i Toplanës janë një tregues shumë domethënës për pasuritë e mëdha natyrore të kësaj zone në funksion të turizmit.
Kësaj i shtohet ekzistenca e zonave të mbrojtura si Parku kombëtar i Thethit, Parku kombëtar i Valbonës, të cilat janë një garanci për jetëgjatësinë e këtyre bukurive natyrore jo vetëm në të tashmen por edhe në të ardhmen. Një potencial tjetër i çmuar i Alpeve shqiptare është pasuria kulturore, mikëpritja dhe bujaria e madhe banorëve të zonës. Disa nga zonat më të njohura turistike të Alpeve janë Thethi, Razma, Valbona, Vermoshi,etj. Këtu duhet shtuar edhe lugina e Drinit me bukuri epike, ku një udhëtim me traget nga Fierza për në Koman do të linte impresione të paharrueshme edhe për vizitorët më indiferent.